Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Shënohet i prekuri i parë me COVID-19 në sektorin call center, operatorët rrëfejnë ankthin dhe pasigurinë

Është konfirmuar operatori i pare i prekur nga virusi COVID-19 në sektorin “call center” në Shqipëri. Ky lajm bëhet i ditur nga sindikata “Solidariteti” të cilët i kanë konsideruar si të pamjaftueshme masat e ndërmarra deri tani dhe kërkojnë zhvendosjen e procesit të punës në shtëpi për operatorët që kanë mundësi.

njoftimin zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale bëhet e ditur se janë kryer në total 697  testime dhe kanë rezultuar pozitivë 64 persona. Dy prej tyre kanë ndërruar jetë.

Sindikata thekson se ky rast ka shkaktuar frikë dhe panik tek të punësuarit e tjerë dhe apelon ndërhyrjen e menjëhershme për të shmangur ndikimet e ardhshme negative në sistemin shëndetësor.

Përhapja e virusit masivisht në ambiente të mbyllura ku punojnë me qindra vetë, përveç rrezikut për punëtorët do të sillte edhe paralizimin e beftë të sistemit tonë shëndetësor”, shkruan Sindikata Solidariteti.

Edhe në deklaratat e mëparshme, sindikata “Solidariteti” ka bërë thirrje që të ndërhyhet në këtë sektor pasi rrezikshmëria është shumë e lartë, sepse puna zhvillohet në një mjedis me qindra të punësuar.

Citizens Channel ka raportuar lidhur me frikën e operatorëve për të vijuar punën në kushtet ku virusi COVID-19 tashmë ka shënuar viktimat e para dhe ka prekur dhjetra qytetarë.

Dhjetra operatorë të Teleperformancës janë tashmë në vetë-izolim

Dje në mbrëmje rreth orës 21:00 na njoftoi tek grupi i punës kolegu i cili pasi kishte dalë pozitiv ndaj testit të COVID-19. Na shkruajti në WhatsApp dhe na njoftoi se ishte i shtruar në spital dhe ishte pozitiv. Lajmi ishte pak tronditës sepse fillon mendon se je i infektuar dhe rëndohesh pak psikologjikisht me mendime negative”. Kështu shprehet për Citizens Channel Albi*, operator i Teleperformancës, teksa tregon se kjo ka ngjallur frikë dhe tek kolegët e tjerë.

Mendoj se të gjithë kolegët e pritën në të njëjtën mënyrë, kush duke thënë sa herë mund ta kem takuar apo herën e fundit kur e kanë takuar. Dje nuk na erdhi ndonjë lajm për punën por sot fushata jonë është pezulluar dhe të gjithë personat që ishin në sallë janë në karantinë të detyruar”.

Albi pohon se të gjithë operatorët e fushatës ku ai bën pjesë por edhe fushta të tjera të cilët kanë zhvilluar punën në të njëjtin kat, janë tashmë në izolim dhe nuk e dinë nëse këto ditë do të paguhen.

Në atë fushatë ne jemi 22 veta por jemi në një sallë ku janë edhe dy fushata të tjera të cilat janë pezulluar si fushata jonë”, shpjegon ai.

Frika e tij më e madhe, rrëfen Albi, qëndron në faktin se mund të ketë infektuar familjarët e tij apo persona të tjerë që cilët janë në moshë madhore.

Që nga dita që nuk kam vajtur në punë, jam kthyer tek familja ime jashtë Tiranës. Kam takuar prindërit dhe persona të tjerë të cilët janë moshë e madhe dhe kjo më friksoi sepse nga statistikat globale kemi vënë re se moshat mbi 50 janë më të rrezikuar”, thekson ai, teksa pohon se deri tani nuk ka asnjë simptomë dhe se do vazhdojë të qëndrojë në shtëpi edhe gjatë ditëve në vijim.

Kundrejt rastit të parë pozitiv, kompania “Teleperformance” nuk e ka ndërprerë punën për operatorët e tjerë. Erindi* shpjegon për Citizens Channel se kompania nuk ka marrë masat e duhura për të mbrojtur punëmarrësi.

Frikë jo, po shqetësim po. Pavarësisht se kompania thotë kemi marrë masa, ambientet nuk janë të përshtatura për punë edhe infektimin mund ta marrësh. Si nga ventilatorët, si nga kolegët se edhe nuk na respektohet distanca dy metra, na banjo ose në korridor, ose kur futesh ose kur del. Kur operatorët dalin jashtë, nuk ka ambient ku mund të respektohet dy metërshi, rrijnë grumbull. Nuk ka asnjë lloj garancie. E vetmja garanci që kanë është kontrolli i temperaturës po ajo nuk nënkupton gjë”, shtjellon Erindi.

Shqetësimi i tij kryesor është paqartësia nga ana e kompanisë lidhur me vijueshmërinë gjatë ditëve në vijim.

Më të shqetësuar jemi edhe për faktin se nuk na thonë gjë të qartë por do shohim, do bëjmë. E shtyjnë, se shtyjnë, ndaçi hajdeni, ndaçi mos hajdeni, nuk na japin përgjigje përfundimtare. O të na thonë “Po, kemi punë, hajdeni në punë”, t’i garantojnë transportin atij që nuk mundet të vijë, ose të na thonë të rrimë në shtëpi. Nuk të japin as përgjigje të saktë, një përgjigje përfundimtare që ti ta dish a do rrish në shtëpi, apo në punë”.

Erindi artikulon se pasiguria mes punëmarrësve është rritur pasi ky është incidenti i dytë brenda pak ditësh. Operatorja e parë e dyshuar rezultoi negative pasi një pjesëtar i familjes ishte mbartës i virusit.

Pasiguria ka filluar qëkur një operatoreje iu diagnostikua vjehrra. Tash është rasti i dytë që del një i infektuar, një punonjës i kompanisë, në ambiente ku rrinë 200-300 punëtorë”, përfundon ai.

*Emrat janë ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin e të intervistuarve

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *