Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Hidrocentralet e vegjël përkeqësojnë cilësinë e ujit dhe rrezikojnë qindra specie

Studimi “Ndikimi i hidrocentralëve të vegjël në temperaturën e rrjedhës”, i kryer në Amerikë përgjatë viteve 2014-2016, në shtetin e Massachusetts ku janë të ndërtuar rreth 3000 HEC-e, sjell të dhëna rreth ndikimit që kanë ato në cilësinë e ujit të rrjedhës.

Dy të tretat e vendeve të studiuara kishin temperatura më të ngrohta në rrjedhën drejt digave dhe një e treta kishin nivele më të ulëta të oksigjenit të tretur”, deklarohet në studimin e publikuar.

Ndryshimi i temperaturave të rrjedhës sjell pasoja negative tek bota e egër që jeton në lumë qw nga ngordhja e peshqve deri tek insektet dhe organizmat e tjerë ujor.

Të njëjtin përfundim nxori edhe studimi i kryer nga Universiteti i Vjenës sa i përket ndikimit që do të kenë hidrocentralet në cilësinë e ujit të lumit Vjosë, lumi i fundit i egër në Evropë.

Ndërtimi i digave që ndalojnë rrjedhën e lumit do të dëmtojë më shumë se 1100 specie të dokumentuara në Vjosë, pasi dëmton cilësinë e ujit.

Në ndryshim nga uji i rrjedhshëm, procesi i vetë-pastrimit zvogëlohet shumë dhe cilësia e ujit përkeqësohet shpejt, veçanërisht në pjesën e poshtme ku ka pak oksigjen të tretur. Uji në rezervuarë shpesh klasifikohet si me cilësi të dobët ose të keqe”, shkruhet në studim.

Shqipëria dhe hidrocentralet e vegjël

Sipas informacioneve që ne kemi, 712 hidrocentrale janë miratuar në total në Shqipëri. Hidrocentralet e vegjël, ose nën dhjetë mega, përbëjnë edhe numrin më të madh të hidrocentraleve, janë diku te 80%”, pohon për Citizens Channel Besjana Guri, nga organizata mjedisore EcoAlbania.

Guri shpjegon se prej disa vitesh ata janë angazhuar në mbrojtjen e shumë lumenjve të planifikuar për t’u futur në tuba. E tillë është edhe beteja për Vjosën. Ata kërkojnë ta shpallin atë Park Kombëtar, në të gjitha rrjedhën e saj prej afro 270 km.

Besjana Guri, eksperte komunikimi dhe koordinatore, EcoAlbania

Kjo kategori do të ndalonte dhe planet aktuale të qeverisë shqiptare për të ndërtuar 12 hidrocentrale të vegjël në degëzimet e këtij lumit, si Shushica apo Bënça.

Në një tjetër degëzim të Vjosës, Langarica, prej tetë vitesh operojnë disa hidrocentrale nën dhjetë mega.

Në lumin e Langaricës, janë ndërtuar pesë hidrocentrale. Po të shikohet në pjesën poshtë kanionit, lumi është pothuajse i tharë”, – informon Guri.

Në betejën për të ndaluar HEC-et e vogla janë përshirë dhe komunitete të tjera. Banorë dhe aktivistë nga Zall-Gjoçaj janë angazhuar prej më shumë se dy vitesh në mbrojtje të lumit Flim dhe Urakë që do të preken nga HEC-et “Sekë” dhe “Zais”.

Ata kanë ngritur tre padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë por asnjë vendim gjykate nuk ka urdhëruar anulimin e dy hidrocentraleve në një zonë të mbrojtur, kategoria e dytë.

Po ashtu, Citizens Channel ka raportuar rreth organizimit kundër hidrocentraleve nga komunitete të tjera si ai i Madheshit në Mat, Skavicë në Dibër, Kukës dhe Mirditë, Tropojë.

Banorët kanë pohuar njëzëri për Citizens Channel se nuk janë përfshirë në konsultime dhe se marrja e ujit do t’i largojë përfundimisht nga shtëpitë e tyre, pasi ai shërben shpesh si burim për ujë të pijshëm, për vaditje ose për bagëtinë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *