Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Ballsh: Rikthimi i protestave për rafinerinë shoqërohet me 9 procedime penale nga policia

Nëntë naftëtarë të uzinës së Ballshit janë proceduar sot penalisht nga policia e Mallakastrës.

Shkak për këtë sipas policisë është bërë organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme dhe prishja e qetësisë publike.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës” shtetasit: G. M., 60 vjeç; N. L., 58 vjeç; B. H., 54 vjeç; J. H., 54 vjeç; K. J., 46 vjeç; R. H., 53 vjeç; L. H., 54 vjeç; A. I., 48 vjeç dhe A. N., 56 vjeç, banues në Mallakastër, pasi në hyrjen kryesore të  KPTHN-Ballsh, janë grumbulluar përpara uzinës  bashkë me disa ish-punonjës të tjerë të kësaj uzine, dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të saj, duke dëmtuar derën kryesore”,-thuhet në njoftimin e policisë.

Prej fundit të tetorit naftëtarët e Ballshit kanë dalë sërish në protesta, ku kërkojnë rikthim të uzinës në punë dhe marrjen e pagave të prapambetura.

Fundi i muajit tetor solli edhe përfundimin e marrëveshjes me qeverinë shqiptare prej të cilës përfituan një vit pagë prej 40.000 lekësh.

Kreu i Sindikatës së Naftëtarëve të Bashkuar, Sokol Dautaj, në protestën e mbajtur më 29 nëntor para uzinës u shpreh se presin zgjidhje ligjore.

“Ne kemi kërkuar që rafineria të vihet në punë dhe ne të punësohemi sërish aty por nëse shteti e vendos ndryshe të paktën të dalë në një njoftim zyrtar dhe të thotë që rafineria nuk do të vihet më në punë dhe të gjejë një zgjidhje mbi problemin e pagave të pa marra. Naftëtarët kanë mbi 8 milionë euro të papaguara”.

Sipas naftëtarëve, mëngjesin e 28 nëntorit në rafineri janë parë të hyjnë makineri të renda të cilat do të kryejnë demontimin e saj.

Në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion të Citizens Channel, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se nuk ka marrëveshje për rivënien e rafinerisë në punë.

MIE deri tani, pavarësisht përpjektje për të nxitur investitorë konkretë për rivënien në punë të KPTHN Ballsh, nuk ka një marrëveshje konkretë për rivënien në punë të saj. Shteti nuk ka aksione tek KPTHN Ballsh, bazuar në Urdhërin e Ekzekutimit nr. 8002 Akti datë 29.12.2020 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, me objekt: “Lëshimin e Urdhërit të Ekzekutimit për titullin ekzekutiv Kontratë Kredie Afatgjatë me nr. 6145, Nr. 10381 Rep, nr. 3653 Kol, datë 27.12.2018 lidhur midis Banka Credins sha në cilësinë e kredidhënësit, si dhe Kontratë Hipoteke me nr. 893 Rep, Nr. 275 Kol, datë 30.01.2019, Marrëveshje Kolaterali Financiar datë 27.12.2018, si dhe Marrëveshjes Siguruese me nr. 10382 Rep, nr. 3654 Kol, datë 27.12.2018, si dhe Marrëveshjes Siguruese me nr. 10399 Rep, nr.3658 Kol, datë 27.12.2018, si dhe Marrëveshjes Siguruese me nr. 10383 Rep, Nr.3655 Kol, datë 27.12.2018, si dhe Marrëveshjes Siguruesë me nr. 892 Rep, nr. 274 Kol, datë 30.01.2019 dhe titullit ekzekutiv Kontratë Kredie Afatgjate me nr. 6413, nr. 12420 Rep, nr. 4171 Kol, datë 31.12.2019, si dhe Kontratë Hipoteke me nr. 997 Rep, nr. 384 Kol, datë 03.02.2020, si dhe Marrëveshjes Siguruese me nr. 12421 Rep, nr. 4172 Kol, datë 31.12.2019, si dhe Marrëveshjes Siguruese me nr. 12422 Rep, nr. 4173 Kol, datë 31.12.2019”, pronar i KPTHN Ballsh është Banka Credins Sh.a.”

Në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku u shpreh se naftëtarët do të marrin mbështetje financiare nga qeveria edhe për dy vitet në vijim.

Këshilli i Ministrave ka marrë një vendim që të mbulohet nevoja e naftëtarëve. 830 naftëtarëve që janë në kushtet e papunësisë për shkak të mos funksionimit të rafinerisë së Ballshit dhe këtu dua të theksoj se është një entitet privat i privatizuar prej vitesh, por që shteti, duke ndjerë të gjithë peshën sociale i ka kompensuar vitin e kaluar dhe do i kompensojë edhe në buxhetin e 2022, me një shumë totale prej 300 milionë lekësh, paga për secilin prej naftëtarëve do jetë 30 mijë lekë, pra pagë papunësie”,-theksoi Balluku.

Në mungesë të një reagimi zyrtar, Kryeministri Rama përmes bisedave të shkëmbyera në rrjetin social Facebook me qytetarët, u shpreh se lidhja e pagës për tre vjet është për tu mundësuar naftëtarëve të sistemohen në punë të tjera.

“Uzina është e privatizuar, nuk është aset shtetëror dhe tërë investitorët e mundshëm që kemi sjellë e konsiderojnë pa interes për shkak të teknologjisë së vjetër e të degradimit në shumë vite”, ka shkruar Rama në faqen e tij të “Facebook”.

Çfarë ndodhi në rafinerinë e Ballshit?

  • Prej muajit janar të vitit 2020, naftëtarët kanë dalë në rrugë, duke protestuar pranë rafinerisë për pagat e prapambetura. Në shkurt 2020, ata hynë në grevë urie për herë të parë, duke ndenjur 12 ditë. Nga ajo greve urie arritën vetëm të merrnin disa prej pagave të prapambetura, por nuk mundën të ktheheshin në punë.
  • Në maj të vitit 2020, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mblodhi në një tryezë të përbashkët task forcën e ngritur për naftën, ku ndër të tjera lajmëroi rikthimin e kompanisë ALLUM dhe rinisjen e punës në rafinerinë e Ballshit brenda muajit qershor.
  • Gjatë muajve të verës protestat e naftëtarëve kanë qenë të vazhdueshme në qytetin e tyre. Më 26 gusht naftëtarët protestuan sërish para rafinerisë duke krijuar përplasje edhe me policinë.
  • Më 3 shtator, pas një takimi me kompaninë Allum i arrit marrëveshja për rifillimin e punës, ndërsa iu premtua një paradhënie prej 50.000 lekësh.
  • 11 shtator 2020, ishte dita e fundit e përmbylljes së marrëveshjes, sipas të cilës do të përfundonte nënshkrimi i kontratave dhe do të riniste puna. Të hënën naftëtarët u nisën për të punuar, por kompania shkëputi çdo kontakt me ta.
  • Më 17 shtator naftëtarët protestuan para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në Tiranë, por nuk morën asnjë përgjigje nga ky institucion.
  • 10 ditë më pas, naftëtarët hynë në grevë ne dytë të urisë, që vazhdoi për 42 ditë.
  • Në nëntor 2020, ata pranuan marrëveshjen me qeverinë Shqiptare, ku ju ofrua një pagë prej 40.000 lekësh për një periudhë njëvjeçare.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *