Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Bashkia Tiranë rikthen premtimet e vjetra në planin e qytetit për 5-vjeçarin e ardhshëm

Gjatë prezantimit të Strategjisë së re pesë vjeçare të Bashkisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se dhjetë projekte të reja ikonike do t’i shtohen kryeqytetit. Një analizë e këtij premtimi tregon se disa nga projektet vijojnë të jenë premtime të mbartura që prej vitit 2015.

Teatri i ri kombëtar – 3 vjet pas shembjes nuk ka filluar ende puna

“Detyra jonë është që t’i shërbejmë të gjithëve, edhe atyre që deri dje në verë shkonin me peshqir e në dimër me batanije në Teatër, e të sigurohemi që projekti i Bjarke Ingels e kthen Tiranën në kryeqytetin e artit dhe të kulturës bashkëkohore në rajonin tonë”, pohoi dje Veliaj.

Sheshi i Teatrit Kombëtar pas shembjes së godinës – Shtator 2020

Po sa kohë ka kryetari i bashkisë Erjon Veliaj që premton Teatrin e Ri Kombëtar?

Pasditen e 17 majit të 2020, pasi godina e Teatrit Kombëtar ra, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u lidh drejtpërdrejt me qytetarët dhe e konsideroi vendim të vështirë, por të drejtë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërsa tregoi se po përgatiten për të nisur punën për teatrin e ri.

Përpos nisjes së punimeve ai konfirmoi edhe se projektin i miratuar ishte ai i Bjarke Ingels Group, të cilin kompania Fusha ShPK ia dhuroi shtetit shqiptar në këmbim të ligjit special, i cili nuk u miratua. Ndërsa më 29 qershor 2021, Veliaj bëri me dije se Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për ndërtimin e Teatrit të ri.

Më 5 korrik 2021 u shpreh se viti i ri do të na gjente me një kantier ndërtimi për teatrin e ri.

Dy vite më vonë, në 21 Dhjetor 2022 Teatrit Kombëtar u inaugurua në një ceremoni të mbyllur për qytetarët dhe median, nën rrethimin e forcave të policisë.

“Me para publike, në tokë publike, të bëjmë një teatër nëntë herë më të madh, më të fortë dhe më të bukurin në rajonin tonë”, u shpreh Veliaj gjatë inaugurimit.

Sot kanë kaluar tre muaj nga ky zotim, dhe në sheshin e rrethuar të teatrit nuk ka punime e as prezencë të makinerive. Ndërsa i vetmi gur i hedhur është ai i themelit, Veliaj ri-premtoi edhe një herë ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar në prag të fushatës për zgjedhjet lokale.

“Stadiumi Selman Stermasi – Në pritje që nga viti 2015”

Projekti tjetër “ikonik” i premtuar nga Veliaj është stadiumi i ri “Selman Stermasi”.

“Stadiumi Selman Stermasi“

Premtim i cili është artikuluar që në fushatën e viti 2015 nga Veliaj, ku pohonte se stadiumi do të kthehet në identitet dhe do të ketë mbështetje të plotë nga bashkia.

“Nuk do të rinovoj më asnjë kontratë që heq copa dhe heq llokma të aseteve të klubit për t’ja çuar palëve të treta“, pohoi Veliaj më 14 Qershor të 2015.

Në vitin 2019 Veliaj u zotua sërish se do të zhvillonte stadiumin. “Më mirë kullë se gomisteri”, u shpreh kryebashkiaku duke marrë në krahasim modelin e ndërtimit të stadiumit “Qemal Stafa”.

“Kampusi Universitar – Brezat e studentëve ndërrohen, premtimet mbeten të njëjta”

Po ashtu, Kampusi i ri Universitar është një tjetër projekt i rëndësishëm, ku u premtua se do fokusohet puna në pesë vitet e ardhshme.

“Do të jemi nesër te Qytet Studenti për të prezantuar Kampusin Universitar. Tirana është vendi ku të gjithë shikojnë ambicien e tyre dhe të gjithë shikojnë të ardhmen e tyre. Kjo është arsyeja pse shumica e prindërve të Shqipërisë në Tiranë. Kanë pasur një trajtim skandaloz në 25 vitet e fundit“, pohon Veliaj 22 Maj 2015.

Në shkurt të  2020, pesë vite më vonë krye bashkiaku Veliaj poston disa foto të kampusit të ri universitar me nënshkrimin “Themi atë që bëjmë, bëjmë atë që themi! “, e ndërsa e dëgjojmë të artikulohet sërish si premtim i fushatës elektorale 2023.

Kampusi studentor mbetet një premtim i pambajtur prej vitesh. Kampusi parashikonte të ofronte ambiente të reja për studentët, si laboratorë krijues, Opera Studio, mensa, terrene sportive, biblioteka dhe një sërë hapësirash në funksion te jetës studentore. Po ashtu, kampusi parashikohet të zërë një sipërfaqe prej 110 metrash katrorë dhe 11 godina shtesë.

Ky premtim erdhi në janar të vitit 2019, fill pas shpërthimit të protestave studentore përballë Ministrisë së Arsimit. Vetëm përpara dy muajsh Lëvizja për Universitetin denoncoj mungesën e ndriçimit në Qytet Studenti, faktor i cili ndikon në sigurinë e vajzave studente në kampus.

“Muzeu i Artit Modern – Projekti i parë publik në Bulevardin e Ri”

Si projekt i tretë i yni është Muzeu i Artit Modern, si në çdo qytet i madh dhe i rëndësishëm të botës. I kemi sot mundësitë, ashtu siç u transformua TOB-i, ashtu siç u transformua stadiumi, ashtu e kemi mundësinë të kemi një Muze të Artit Modern. Hapësira do të jetë tek Bulevardi i Ri,” u shpreh Veliaj dje gjatë prezantimit.

Edhe pse planet për zhvillimin e zonës së Bulevardit të Ri kanë nisur që në 2012 dhe Veliaj premtonte ndërtimin e një Parku Verior në 2015 duket se zhvillimi i Bulevardit do të nisë vetëm pas zgjedhjeve 2023.

”Projekti i Grimshaw parashikon që bulevardi të ketë tre sheshe, si sheshi Pallatit të Drejtësisë, sheshi komercial ku do të jenë qendra tregtare dhe shesin e kulturës. Mendohet që faza e parë e projektit të përfundojë brenda vitit”, u shpreh pas fitores Neven Sidor një nga drejtuesit e Grimshaw Architetects (2012).

“Muzeu i Tiranës në Vilën e ‘Sarajeve’”

Një tjetër projekt ka të bëjë me Muzeun e Tiranës ku është hera e parë që bashkia blen një pronë private për t’ia kthyer publikut.

Kompleksi Sarajet

Kompleksi “Sarajet” në rrugën Abdi Toptani në Tiranë, u përfshi nga flakët më 17 gusht 2021. Alarmi që ka ngritur djegia e banesës monument u pasua nga një sërë reagimesh, ku ngrihen dyshime se qeveria shqiptare po vepron në favor të investitorëve privatë, për ta rrethuar godinën e Sarajeve me kulla shumëkatëshe.

Pas një muaji nga djegia Bashkia Tiranë shpronësojë pronarët me një shumë prej 2.5 milionë dollarë si vlerë dëmshpërblimi për pronën.

Pavarësisht se “Sarajet e Toptanëve” kanë filluar të përdoren që më shkurt të 2021 për aktivitete dhe inaugurime sërish krye bashkiaku e ka përfshirë në listën e projekteve të reja të fushatës 2023.

“Kopshti Botanik – Bashkia kundër ‘Shkencave të Natyrës’”

”Do ta kthejmë në një hapësirë dinjitoze për qytetin, ku t’i japim dhe një mundësi Universitetit, që ta shfrytëzojë për rritjen e kapacitetit”, premtoj Veliaj dje gjatë prezantimit.

Përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, pedagogë dhe studentë pas vendimit të Gjykatës Adminstrative, 7 maj 2021

Fakulteti i Shkencave të Natyrës më 2019 kundërshtoi VKM-në për kalimin e Kopshtit Botanik në pronësi të Bashkisë Tiranë, duke theksuar se ky vendim jo vetëm që cenon rëndë autonominë dhe lirinë akademike, duke renë ndesh edhe me ligjin për Arsimin e Lartë, por pamundëson edhe funksionin e këtij institucioni që është një punë 60 vjeçare ndër breza.

Në vitin 2021, Gjykata Administrative i dha të drejtë FSHS dhe hapësira mbeti nën administrimin e universitetit.

Ndër premtime të reja nga Veliaj përmendim: Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës, Qendra e re e Konventave, Qendra e Panaireve etj.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *