Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Banorët e Zall-Gjoçajt solidarizohen me rezistencën e banorëve të Thirrës

Banorët e fshatrave Thirrë, Sang dhe Hebë në Mirditë e kaluan Pashkën Katolike në çadrën e rezistencës, të ngritur përbri punimeve që po kryhen për ndërtimin e hidrocentralit dhe fabrikës së ujit.

Si pasojë e rezistencës së banorëve kompania që po kryente punimet në paligjshmëri i ka ndërprerë ato, ndërsa banorët po qëndrojnë vigjilentë për çdo rikthim të mundshëm të makinerive.

Në mbështetje të tyre, këtë fillim jave shkuan edhe banorët e Zall-Gjoçaj dhe aktivistët që prej pesë vitesh vijojnë të enden gjykatave në kundërshtim të ndërtimit të HEC-it në Zall Gjoçaj, në Mat.

Unë kërkoj të drejtën time. Ky ujë më ka mbajtur tash e 84 vjeç, me këtë ujë jam rritur. Kam mbajtur blegtorinë, kam mbajtur lopën, kam mbajtur derrin, kam mbajtur pulat, ujë boll bereqaves zotit edhe nën hijen e zotit”,- shprehet 84 vjeçari Llesh Çupi, banor i zonës.

Për banorët e Zall-Gjoçajt, beteja prej pesë vitesh për të drejtën për ujë i përbashkon ata me banorët e Thirrës, që po kalojnë të njëjtin proces.

“Kemi ardhur në mbështetje të banorëve të Thirrës sepse edhe ne kemi të njëjtin problem. Ka pesë vite që jemi nëpër gjykata. I mbështesim plotësisht dhe jo vetëm banorët e Thirrës dhe Zall-Gjoçajt, por çdo vend të Shqipërisë që ka të njëjtin problem me ne, i mbështesim dhe jemi gjithmonë me to”,-u shpreh Alta Koleci, banore e Zall Gjoçaj.

Për Dhimitër Kolecin, kjo është një luftë për të mbrojtur ujin dhe jetën.

“Ne do të jemi në krahun e tyre për të mbrojtur të drejtën për jetë, të drejtën për të jetuar në këto zona, në këto treva që po shpërngulen çdo ditë nga mos mirë qeverisja, nga ligjet korruptive, nga halabakët dhe mafja e HEC-eve që po shkatërrojnë gjithçka”, – shprehet Dhimitër Koleci.

Banorët e Thirrës rrëfejnë se marrja e ujit nga HEC-i dhe fabrika e ujit që po ndërtohet në këtë zonë është akti i fundit që i detyron ata të largohen nga zona. Ata po heqin dorë edhe nga ëndrrat për të zhvilluar biznese familjare e për ta ndërtuar të ardhmen në vendlindje.

“Kam tre vëllezër në Itali dhe kemi menduar që të hapim një biznes, një fermë të vogël. Me këtë ujë që po na marrin ne s’kemi çfarë të hapim. Këtu po mbaron gjithçka. Unë e kam menduar që të largohem nga Shqipëria,”- deklaroi Pashk Ndreca nga banorët e pranishëm.

Pasojat e futjes së ujit në tuba janë mjaftueshëm të dukshme në jetën e komunitetit në Zall Gjoçaj.

“Dy lumenj 25 kilometër janë tharë përjetësisht. Nuk ka pikë uji. Atje ne jetojmë vetëm me blegtori dhe bletari dhe tani bagëtitë dhe bletët po ngordhin për ujë sepse nuk ka ku të pinë ujë”, -rrëfen Adem Gjokolaj, banor i Zall Gjoçaj.

Banorët kanë më shumë se dy javë që qëndrojnë në çadër në formë qëndrese, kundër vijimit të punimeve për HEC-in.

Bashkia Mirditë vendosi që në territor të mos bëhet asnjë zhvillim pa paraqitur dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, duke i dhënë kompanisë “Lajthiza Invest” një afat dy mujor për të dorëzuar dokumentacionin. Mirëpo, ndërsa punimet kanë përparuar nga kompania zbatuese “SANG 1”, bashkia Mirditë i tha Citizens Channel se e ka të pamundur ti monitorojë punimet, pasi mjetet dhe punëtorët largohen nga terreni kur vihen në dijeni të kontrolleve nga bashkia.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *