Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vendimi i fshehtë i qeverisë rikthen prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar

Është publikuar dje në Fletoren Zyrtare vendimi i cili autorizon ngritjen dhe funksionimin e një komisioni për vlerësimin dhe negocimin e kontratës me palën private me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar.

Ky vendim u publikua më datë 3 qershor 2019, afro dy muaj pas miratimit në qeveri, përkatësisht më datë 4 prill 2019. Edhe pse i kundërshtuar prej më shumë se një vit nga shoqëria civile, ky projekt synon të shembë godinën e Teatrit ekzistues dhe të ngrejë një godinë të re.

Në pikën e parë të këtij vendimi thuhet se synohet të krijohet një komision për realizimin e procedurave të vlerësimit dhe negocimit të kontratës me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar, duke përfshirë projektimin, ndërtimin dhe dorëzimin e godinës së re të Teatrit si dhe hartimin e kontratës me palën privatë të përzgjedhur.

Vendim nr.352, datë 4.4.2019

Në pikën e dytë të këtij vendimi kërkohet përcaktimi i kritereve kualifikuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar. Komisioni i vlerësimit dhe negocimit kryesohet nga zëvendës kryetari i Bashkisë Tiranë dhe përbëhet nga 6 anëtarë të cilët janë:

  1. Ministria e Kulturës
  2. Ministria e Financave dhe Ekonomisë
  3. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë
  4. Ministria e Drejtësisë
  5. Avokatura e shtetit
  6. Trupa teatrore

Brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit drejtuesit e institucioneve të përmendura më sipër dërgojnë pranë Bashkisë Tiranë emrat e anëtarëve përfaqësues në këtë komision. Kryetari i komisionit thërret mbledhjen e parë brenda 5 ditëve pas dërgimit të emrave të anëtarëve. Ai thërret ekspertë të fushës apo përfaqësues të institucioneve të tjera për të dhënë mendimin dhe ekspertizën e kërkuar. Çdo institucion apo ent shtetëror është i detyruar që sipas kërkesës së komisionit të dorëzojë brenda tri ditëve ekspertizën e kërkuar nëpërmjet dhënies me shkrim apo dërgimit të ekspertëve.

Në këtë vendim paraqiten qartë pikat sa i përket thirrjes që bëhet për palët private të interesuara, kriteret kualifikuese për palët private të interesuara, procedura dhe negocimi për projektin e zhvillimit etj.

Veçanërisht, në pikën për kriteret vlerësuese për palët private të interesuara thuhet se, pala private e cila kalon fazën kualifikuese në përputhje me dokumentacionin e paraqitur sipas përcaktimeve të kreut IV të vendimit, vlerësohet sipas këtyre kritereve:

a).kriteri Teknik (me 70 pikë)

b). kriteri ekonomik (me 30 pikë)

Nga këto, komponentët e kriterit teknik, me një total prej 70 pikësh, zbërthehen, si më poshtë:

a).Projekt ideja e  zhvillimit  të  zonës  (60  pikë), ku vlerësohen këto nën elemente:

  •        Masterplani, zgjidhja e ofruar (pesha 20 %);
  •       Arkitektura e Teatrit Kombëtar (pesha 40 %);
  •       Organizimi i brendshëm (pesha 40 %).

b) Niveli (në %)  i  gëzimit  të të drejtave  mbi pronën,   referuar   sipërfaqes   totale   të   pronës private që preket nga projekti (5 pikë);

c) Koha e realizimit të ndërtimit(5 pikë).

Komponentët e  kriterit  ekonomik,  me  një total  prej  30  pikësh,  i   referohen  ofertës  për projektimin,  ndërtimin,  mobilimin,  mbikëqyrjen dhe  kolaudimin,  dhe  zbërthehen,  si  më  poshtë :

a)çmim  kosto  teatri  për  m2,  sipas  kostos  së projektit të propozuar (10 pikë);

b) sasia (në  %)  e  propozuar  për  m2pjesë takuese  që  do  të  përfitohet  nga  pala  shtet  (20 pikë).

Çdo palë private renditet  nga  komisioni sipas kritereve të sipërpërmendura  vlerësuese. Numri total i pikëve është 100. Sipas këtij vendimi në cilësinë e autoritetit kontraktor ngarkohet Kryetari i Bashkisë Tiranë i cili do të krijojë komisionin për ndjekjen e procedurave për përzgjedhjen me procedurë të veçantë të konsulentit për vlerësimin, përzgjedhjen, negocimin dhe lidhjen e kontratës me palën private.

Me anë të këtij vendimi kuptojmë se qeveria vazhdon t’i qëndrojë këtij projekti pavarësisht kundërshtimeve nga shoqëria civile dhe përfaqësuesve të aktorëve.

Reagimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: “Ne nuk trembemi”

Menjëherë pas bërjes publike të këtij vendimi ka reaguar Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit me anë të një deklarate për mediat. Sipas kësaj deklarate Aleanca e ka konsideruar këtë vendim si një shpallje të luftës përfundimtare jo vetëm të interesit publik dhe Teatrit Kombëtar, por edhe Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.

Sipas Aleancës së Mbrojtjes së Teatrit ngritja e këtij komisioni ndërsa vendi mbetet pa Gjykatë kushtetuese tregon dëshirën patologjike që kanë çifti Rama-Veliaj për të grabitur çdo aset publik në këtë vend, sidomos tani që nuk i kontrollon dot kush.

“E megjithatë nuk trembemi! Kemi qenë të bindur që kur e nisëm këtë betejë, thuajse 18 muaj më parë, se një ditë do na duhej të përballeshim qoftë fizikisht me qeverinë. Sot jemi të bindur më shumë se kurrë se kemi me vete të gjithë ata qytetarë që kanë kontribuar ditë për ditë në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar”, shprehet në deklaratën për mediat Aleanca.

Si nisi debati për Teatrin Kombëtar?

Debati që është ngritur për prishjen e Teatrit dhe ndërtimin e një të riu nisi në fillim të vitit 2018, ku u prezantua plani i Teatrit të ri Kombëtar me 4 kulla pas tij.

Më 27 qershor 2018 Këshilli i Ministrave propozoi projektligjin “Për përcaktimin e Procedurës së Veçantë për Negocimin dhe Lidhjen e Kontratës” me objekt “Projektimi dhe Realizimi i Projektit Urban dhe Godinës së Re të Teatrit Kombëtar”

Në këtë projektligj thuhet se Ministria e Kulturës nuk ka fonde për të kryer këtë investim. Kështu, Bashkia Tiranë me një kërkesë të datës 23.2.2018 drejtuar Ministrisë se Kulturës, shpreh interesin që të zhvillohet zona pranë Teatrit Kombëtar nga kompania “Fusha” sh.p.k. Ky subjekt privat përveç zhvillimit të zonës angazhohet të realizojë edhe ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Ky projektligj është hasur me kundërshtime të forta nga qytetarët dhe aktivistët të cilët e cilësojnë si një dëm të pronës publike.

Për këtë ka reaguar edhe Komisioni Evropian, i cili me anë të një letre drejtuar qeverisë shqiptare sqaron se është e rëndësishme që në garë të marrin pjesë edhe aktorë të tjerë, në mënyrë që konkurrenca të jetë e hapur.

Ky projektligj u miratua në kuvend, por u kthye dy herë nga presidenti Meta me argumentin se “shkel parimet e barazisë para ligjit dhe lirisë së veprimtarisë ekonomike para shtetasve” dhe “nuk është në harmoni me parimet themelore kushtetuese të identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore”.

Vendimi i fundit i publikuar në faqen zyrtare lë të hapur garën e palëve private të interesuara, por përjashton mundësinë e heqjes dorë përfundimisht nga prishja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

Shoqëria civile dhe Aleanca e Mbrojtjes së Teatrit tashmë llogarit një vit e tre muaj rezistencë para ndërtesës së Teatrit Kombëtar, ku mblidhen çdo mbrëmje, duke ndërtuar një oaz të diskursit publik me tematika që prekin çdo ditë Shqipërinë.

Citizens Channel / E.K

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *